Ballina, Kosovë, Lajme

VV-ja detyrohet ta thërrasë PDK-në në tryezën e saj

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar mbajtjen e një tryeze për ditën e premte, e ku aty pritet të ftohet edhe PDK-ja, të cilës vetë VV-ja ia bojkotoi një tryezë të ngjashme.

PDK-ja si parti e dytë në Kuvend, do të bëhet “obligim” për VV-në që të marrë një ftesë ku flitet për proceset e rëndësishme politike në vend, shkruan Gazetametro.net.

Mirëpo, edhe në njoftimin e VV-së për këtë tryezë vërehet një gjuhë e kujdesshme por që lë të kuptohet që ftesa do t’i dërgohet edhe partisë së Kadri Veselit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të organizojë të premten, më 25 maj, në ambientet e Kuvendit, tryezën e titulluar “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, ku do jenë të ftuara subjektet politike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

E se PDK-ja pritet të marrë një ftesë nga partia që më së shumti e kundërshton, e pranoi në një formë edhe zyrtarja e kësaj partie, Tinka Kurti. Ajo i tha Metros se një ftesë për PDK-në është e pashmangshme.

“Ftesat do t’i shpërndajmë ditët në vazhdim. Por besoj se për PDK-në duhet po se po…”, ka thënë Kurti për Metron.

Ndërkohë, ajo nuk ka pranuar të flasë rreth mundësisë për ta ftuar grupin e ri parlamentar që tani janë bërë me parti, PSD-në.

Sidoqoftë, tryeza e thirrur nga VV-ja do të mbahet ditën e premte në ambientet e Kuvendit të Kosovës, dhe si temë do ta ketë mundësinë për zgjedhje të parakohshme.

 

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments

ads

Ads