Ballina, Kosovë, Lajme

Vendosja e flamurit të Kosovës të rrethi kryesor në Prishtinë po mbetet veç ëndërr

Vendosja e flamurit të Kosovës në rrethin kryesor të kryeqytetit është bërë temë që po zë vend çdo ditë në opinion. Liderë të rëndësishëm të vendit dhe qytetarë të Kosovës, kanë kërkuar qe për 10-vjetorin e Pavarësisë së shtetit, në pjesën ku valëvitet flamuri kombëtar të valëvitet ai i Kosovës

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës, për ta vendosur flamurin e Kosovës në rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës.

“Këtë javë vendi ynë është nikoqir i shumë mysafirëve që vijnë për rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Komuna e Prishtinës duhet patjetër të vendosë flamurin e Kosovës ”te rrethi” i Prishtinës. Kjo është dashur të ndodhë shumë më herët. Kudo që ne shkojmë, na nderojnë me flamurin tonë. Por tani ne duhet së pari të nderojmë veten”, shtoi ai.

Vendosja e flamurit të Kosovës aty ku prej vjetësh është i vendosur flamuri i Shqipërisë u kërkua edhe nëpërmjet një peticioni online.

Mirëpo veç Pacollit, edhe të tjerë personalitete janë duke e kërkuar vendosjen e flamurit të Kosovës në atë pjesë.

Besnik Tahiri, dikur kandidat i AAK-së për kryetar të Prishtinës, i ka propozuar Shpend Ahmetit vendosjen edhe të një flamuri të Republikës te rrethi ku është i vendosur flamuri kombëtar. Në këtë formë, Tahiri ka thënë se mbyllet debati për respektimin e simboleve shtetërore dhe trajtimin e dinjitetshëm të simboleve kombëtare.

“Shpend A. Ahmeti, Sheshi Nënë Tereza tashmë ka marrë ngjyrat e flamurit të vendit tonë duke i dhënë hijeshi qytetit. Të sugjeroj që të vendosësh edhe një shtizë tek rrethi bash përballë shtizës që e mban flamurin kombëtar dhe të mbyllet ky debat”, ka shkruar Tahiri.

Flamuri i Republikës së Kosovës ishte hequr nga rrethi në hyrje të Prishtinës kur kishte ardhur në krye të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Mirëpo, më i ashpër ndaj kësaj kërkese ka qenë kryetar i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Kryetari aktual i Drenasit Ramiz Lladrovci, hapur ka shprehur pakënaqësi ndaj Shpend Ahmetit pasi që nuk vendohet flamuri i Kosovës në hyrjen e rrethit në Prishtinë.

“Po sinqerisht duhet me i ardhë trup, te gjithë ne kemi luftuar për atë flamur, madje edhe ne New York po valëvitet flamuri i Kosovës. Nuk është punë e imja se unë isha ardhë e kisha vendos atë flamur, po tutna qe e hekë Shpendi e tani duhet…”, buzëqesh Lladrovci.

Por, peticioni dhe kërkesat e liderëve të tjerë nuk janë duke i bërë përshtypje kryetarit të Prishtinës, ku ky i fundit është duke larguar përgjegjësitë nga supet e tij.

Komuna e Prishtinës e ka vendosur flamurin e Kosovës te ‘Rrethi’. I njëjti institucion është përgjegjës për hapësirën publike. Në anën tjetër, Shpend Ahmeti po tenton që këtë problem ta zhvendosë te kryeministri.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është deklaruar publikisht përsëri, teksa qytetarët e Kosovës po i kërkojnë vendosjen e flamurit të Republikës së Kosovës tek rrethrrotullimi, i njohur si ‘Rrethi’, në hyrje të kryeqytetit.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë gabuar adresën për kërkesën e tyre.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se kjo kërkesë duhet t’i adresohet Ramush Haradinajt.

Sipas Ahmetit, vendosja e flamurit të Kosovës te ‘Rrethi’ është kompetencë e kryeministrit të vendit.

“Po e shoh një debat të gjatë në lidhje me flamurin shtetëror të Kosovës i cili me apo me pa qëllim po drejtohet te Komuna me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social.

“E para, unë jam kryetar i Prishtinës, kryeqytet i Republikës së Kosovës, me Kushtetutë e ligje në fuqi, të cilat i zbatojmë dhe i respektojmë. E dyta, vendosja e simboleve shtetërore rregullohet me Ligjin 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe Ligjin 03/L-032 për protokollin e shtetit. Aty është shumë e qartë”, ka thënë ai.

Për të mbështetur pohimin e tij, Ahmeti ka treguar se çfarë parasheh saktësisht Ligji për punët e Protokollit të Shtetit.

“Neni 3 pika 4. Protokolli i Shtetit kryen këto funksione:

1.4. përgjigjet për organizimin e ceremonive për festat zyrtare, memorialë, shtetërorë dhe lokale, në rastet kur ato janë jubilare dhe kur për organizimin e të cilave formohet me vendim të Qeverisë të Republikës së Kosovës një komision shtetëror. “Neni 15 paragrafi 2 “Në mjediset e jashtme flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës qëndron i ngritur mbi ose pranë selive të institucioneve qendrore dhe lokale qeveritare, në pikat kufitare si dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njëzetekatër (24) orë dhe i ndriçuar drejtpërdrejtë gjatë natës. Në rastet e festave zyrtare dhe memoriale flamuri ngritët edhe në vende të tjera me autorizimin e Kryeministrit, për evenimente shtetërorë ose të kryetarit të Komunës, për evenimente lokale”.

Ai ka kujtuar se “10-vjetori është eveniment shtetëror”

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/vendosja-e-flamurit-te-kosoves-te-rrethi-kryesor-i-prishtine-po-mbetet-vec-enderr-498513/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments

ads

Ads