Ballina Lajme Thaçi: Mospjesëmarrja e LDK-së në varrimin e Adem Demaçit veçse i bëri...

Thaçi: Mospjesëmarrja e LDK-së në varrimin e Adem Demaçit veçse i bëri nderë atij

302
0
SHPËRNDAJE

Njohësi i çështjeve politike dhe themeluesi i institutit ATOM, Jusuf Thaçi, ka thënë se mospjesëmarrja e LDK-së në varrimin e Demaçit, i ka bërë nderë veprës dhe simbolikës së Demaçit.

Sipas Thaçit, Demaçi ishte simbol i lirisë, ndërsa LDK-ja është e kundërta e Demaçit.

Shkrimi i plotë:

LDK dhe anti-ademdemaçianët tjerë

Me mospjesëmarrje në varrimin e Adem Demaçit, LDK për herë të parë gjatë gjithë ekzistencës së vet u tregua, kaq drejtpërdrejt e kaq publikisht, e sinqertë.

Adem Demaçi, me gjithë ç’ishte e ç’bëri, përfaqëson e simbolizon lirinë, dinjitetshmërinë, njeridashurinë, atdhedashurinë, ballëlartësinë, krenarinë, trimërinë, rezistencën, panënshtrueshmërinë, ndershmërinë, burrërinë, sinqeritetin, çiltërsinë, altruizmin, sakrificën, këmbëngulësinë, shpirtmadhësinë, zemërgjerësinë, mendimin e pavarur, luftëtarin, humanistin, jokonformistin, aktivistin për të drejtat e njeriut, aktivistin për të drejtat kombëtare, aktivistin politik.

Kurse LDK, që nga themelimi e deri më sot, fund e krye, kokë e këmbë, me mish e me shpirt, në brendi e në sipërfaqe, simbolikisht e praktikisht ka qenë e vazhdon të mbetet plotësisht e kundërta e asaj çfarë është, çfarë përfaqëson e çfarë simbolizon Adem Demaçi.

Prandaj, mospjesëmarrja e LDK-së në varrimin e Adem Demaçit veçse i bëri nderë atij dhe veprës e simbolikës së tij. E keqja e këtij varrimi ishte pjesëmarrja, fjalimet dhe “nderimet” e disa udhëheqësve politikë e shtetërorë shqiptarë për Bacën Adem, të cilët, megjithëse jozyrtarisht e jopublikisht, praktikisht me veprimtarinë e tyre janë po aq anti-ademdemaçianë sa edhe LDK-ja. Pikërisht hipokrizia e këtyre duhet ta ketë trazuar sot Bacën në varr.

Personalisht, për shkak të këtyre hipokritëve nuk kam marrë pjesë në përcjelljen e varrosjen e Bacës Adem. Madje nuk do të shkoj as ta vizitoj varrin e tij derisa koha t’i vyshkë e era t’i tretë ato lule të vëna nga shumë nga këta hipokritë, të cilat e ndotin shpirtbardhësinë e Bacës Adem. Vetëm kur prezenca dhe gjurmët e këtyre hipokritëve të mos jenë te varri i tij, atëherë do të shkoj për ta përshëndetur Bacën. E di që Baca është mirëkuptues e durues.

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments