Thaçi merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të presidentit të rizgjedhur të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për në Turqi, ku do të marrë pjesë në ceremoninë presidenciale të inaugurimit.

“Turqia ka luajtur rol të madh në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, duke kontribuar në rritjen e numrit të njohjeve dhe në anëtarësimin e shtetit tonë në organizata ndërkombëtare. Shteti turk vazhdon të jetë një aleat i rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Pjesë e ceremonisë së inaugurimit të presidentit të rizgjedhur të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet të jenë mbi 20 presidentë dhe rreth 30 kryeministra shtetesh nga mbarë bota.

Turqia urdhëron ndalimin e 331 ushtarëve në hetimet për Gulenin

Turqia ka urdhëruar ndalimin e 331 ushtarëve në dy operacione që shënjestrojnë mbështetësit e klerikut fetar, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për orkestrim të tentimeve të dështuara për grushtshtet dy vjet më parë, ka njoftuar media shtetërore të premten.

Operacionet janë zgjeruar në dhjetëra provinca në gjithë Turqinë kundër ushtarëve që është thënë se kanë qenë në kontakt me persona të afërt me Gulenin, ka njoftuar transmetuar TRT Haber.

Gazeta tjera kanë thënë se në mesin e personave që mund të përballen me ndalim janë 10 kolonelë dhe një general i pensionuar.

Operacionet kanë nisur rreth orës 5 të mëngjesit të së premten nga policia kundërterrorizëm.

Operacione të ngjashme kanë qenë shumë të shpeshta prej tentimeve të dështuara për puç, pasi rreth 160,000 persona janë ndaluar dhe pothuajse numri i njëjtë i personave janë shkarkuar nga pozita, ka njoftuar në muajin mars, Zyra për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara.

Kritikët e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan kanë akuzuar këtë lider për përdorim të puçit si arsyetim për të shuar kundërshtarët.

Turqia në anën tjetër ka deklaruar se masat janë të domosdoshme për të luftuar kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare.

 

Trump e thërret Erdoganin në telefon, çka biseduan

Presidenti amerikan Donald Trump në një bisedë telefonike uroi presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan për fitoren në zgjedhje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës së Turqisë, dy liderët kanë bashkëbiseduar në telefon.

Trump, në bisedë ka uruar Erdoğan për fitoren në zgjedhjet e 24 qershorit dhe i ka uruar sukses.

Dy liderët duke tërhequr vëmendjen në partneritetin strategjik mes Turqisë dhe SHBA-ve, kanë konfirmuar angazhimin e tyre në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale në çdo fushë, duke filluar në mbrojtje dhe marrëdhënie ushtarake.

Në bisedë gjithashtu është folur për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në zbatimin e udhërrëfyesit në lidhje me Munbixhin dhe luftën kundër terrorizmit.

Erdoğan dhe Trump theksuan se presin me padurim të takohen në Samitin e NATO-s që do të mbahet më 11-12 korrik në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel.

 

“Afrimi i Erdoganit me Putinin ka ftohur raportet Turqi – Kosovë”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 6 maj do të qëndrojë në Ankara në një vizitë dyditore, është njoftuar nga kabineti i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Srgjan Perishiq, vlerëson para vizitës së Presidentit Aleksandar Vuçiq në Ankara dhe Moskë se marrëdhëniet e mira midis këtyre dy vendeve janë në favor të Serbisë.

Ai shton se fokus i këtyre bisedimeve do të jetë bashkëpunimi ekonomik, por edhe çështja e Kosovës.

Perishiq, për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ka thënë se marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes Serbisë dhe Turqisë vetëm sa janë rritur që nga viti 2016, mbi të gjitha me faktin se Turqia në atë kohë kishte ndryshuar politikën e saj dhe ka bërë një distancim nga “politika neo-otomane”.

Ai thotë se deklarata e dikurshme e ministrit turk të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, se “Kosova është Turqi, e Turqia është Kosovë”, sikurse edhe “Bosnja është turke, e Turqia boshnjake”, tani janë me siguri gjëra të së kaluarës.

“Deri tek ky distancim ka ardhur pasi që në maj dhe qershor të vitit 2016 erdhi deri tek ripërtëritja e marrëdhënieve të Turqisë me Rusinë. Kjo ka ndikuar edhe në ndryshimin e politikës së saj karshi Ballkanit. Sikur të mos kishte raporte të mira mes Ankarasë dhe Moskës, s’do të kishte raporte të mira as mes Ankarasë e Beogradit”, ka vlerësuar Perishiq, transmeton Koha.net.

Raportet e mira mes Rusisë e Turqisë shkojnë në të mirë të Serbisë, shton ai, dhe thekson se vizita e Vuçiqit në Turqi, e më pas edhe në Rusi, është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë.

“Rusia është miku ynë shumëshekullor, bashkëpunëtor dhe të gjitha ndryshimet në Rusi pasqyrohen edhe tek ne. Forcimi i saj neve na konvenon krejtësisht. Ruajtja e interesave nacionale të Serbisë me një Rusi të forcuar, interesat tona dhe interesat e Rusisë si fuqi e madhe janë kompatibile dhe në këtë atmosferë po vlerësohet vizita e Vuçiqit në Ankara e Moskë”, shprehet i bindur Perishiq.

Ai shton se në kontekstin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës duhet marrë parasysh edhe faktin se Turqia i ka “ftohur” raportet me Kosovën, e ka ndryshuar politikën sa i përket çështjes së Kosovës.

“Të gjitha këto janë sinjale të mira në pozicionin dhe betejën tonë që Kosova e Metohia edhe më tutje të jetë pjesë e Serbisë. Ata e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, por po ndjehet ky devijim si rezultat i zhvillimeve gjeopolitike në skenën ndërkombëtare”, tha Perishiq.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se nuk e di se çfarë do të flitet në lidhje me Kosovën në takimin mes Vuçiqit dhe Erdoganit, por thekson se “nuk do të ketë më deklarata nga ana e tyre se Kosova është Turqi”, gjë që, sipas tij, “është avancim gjigant në raportet serbo-turke”.

Erdogan nervozohet me Macron: S’mund të na tregojë çka bëjmë në Ballkan

Deklaratat e fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron lidhur me raportet mes Turqisë dhe Rusisë, nuk i kanë hije një burrështetasi, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Nuk mund të thuhet se ka një qëndrueshmëri në qëndrimet e tij. Bombardimet e fundit dhe paqëndrueshmëria e Francës tregojnë se ai po përballet me vështirësi. Deklaratat e tij se ne po fusim ‘pyka’ mes popullit, nuk i takojnë një burrështetasi, ka thënë Erdogan.

Macron kishte deklaruar se ai iu bashkua sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Francës kundër regjimit sirian, për shkak se dëshironte të ndihmonte që të ‘liroheshin pykat’ turke dhe ruse atje.

“Ne kemi raporte të mira me Rusinë ashtu siç kemi raporte të mira me vendet perëndimore. Askush nuk mund të pretendojë se mund të fusë pyka në ndonjë vend”, ka thënë Erdogan.

Erdogan gjithashtu ka folur edhe për një deklaratë të Macron, i cili kishte thënë se ‘vendeve të Ballkanit duhet t’u jepet një perspektivë e qartë evropiane në mënyrë që të mbrohen nga ndikimi rus dhe turk’.

“Ne kemi ndikimin tonë në Ballkan për shkak të historisë dhe kulturës. Kemi raporte shumë të mira me vendet e Ballkanit dhe askush nuk mund ta mohojë këtë. Shpresoj që Macron nuk do të ecë hapave të tillë, të gabuar”, ka thënë Erdogan.

 

Erdogan: Nuk i japim llogari SHBA-së, do të blejmë sistemet S400

Përkundër trysnisë dhe kundërshtimeve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Iraku nuk do të heqin dorë nga blerja e sistemeve anti-raketore ruse, S400.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan porositi se vendi i tij është i vendosur që të blejë këto sisteme dhe se Ankaraja do të ndjekë rrugën e drejtë, për të realizuar synimet e veta.

Presidenti turk bëri të qartë se vendi i tij nuk do të heq dorë nga blerja e këtyre sistemeve, pa marrë parasysh sanksionet e mundshme të Washingtonit kundër Ankarasë, shkruan rtv21.tv

Ai me këtë rast vuri në pah se Washingtoni nuk ka kritikuar Greqinë për shkak të blerjes së sistemit rus, S300, ndërsa tani po kundërshton blerjen e sistemeve S400 nga ana e Turqisë. Përkundër kërcënimit amerikan me sanksione, Erdogan tha se vendi i tij nuk do ti jep llogari Washingtonit në lidhje me këtë çështje.

Në anën tjetër, Kryetari i Komitetit të Parlamentit të Irakut për mbrojtje dhe siguri, Hakim Zimili, deklaroi se edhe vendit të tij i nevojiten sistemet S400, me qëllim që të mbrojnë xhamitë dhe objektet tjera fetare nga sulmet e mundshme të terroristëve me aeroplanë. Sipas tij, ka të dhëna se terroristët mund të përdorin fluturake, për të sulmuar objektet e shenjta dhe shtoi se Washingtoni nuk po dëshiron të armatosë ushtrinë irakiane me sisteme anti-raketore për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit