Home Ballina Schmidt-Wadephul, kush janë dy gjermanët që po marrin në dorë krizën

Schmidt-Wadephul, kush janë dy gjermanët që po marrin në dorë krizën

110
0
SHARE

Të enjten, një deklaratë e fortë për krizën politike mbërriti nga Gjermania. Në një deklaratë të përbashkët, dy deputetët, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, shprehin shqetësimin e tyre për krizën e brendshme politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pa opozitën. Por kush janë gjermanët që duket se po marrin në dorë krizën?

Christian Schmidt

Një muaj pasi opozita kishte nisur protestat dhe kishte vendosur të digjte mandatet parlamentare, komuniteti ndërkombëtar ishte treguar mjaft i ashpër me PD-në dhe LSI-në. E megjithatë, kur të gjithë ishin kundër opozitës, Christian Schmidt deklaroi se edhe qeveria ka përgjegjësi për krizën. “Qeveria duhet të garantojë bashkëpunimin parlamentar,” tha Schmidt, duke paralajmëruar se do vinte vetë në Shqipëri për të parë nga afër situatën.

Schmidt është një politikan me karrierë të gjatë në politikën gjermane. Bavarezi i CSU ka qenë pjesë e parlamentit gjerman që prej vitit 1990. Gati tre dekada në politikë kanë bërë që ai të shërbejë për shtatë legjislatura.

Në karrierën e tij ka qenë Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes nga viti 2005 deri në vitin 2013. Më vonë nga viti 2014 deri në vitin 2018 do bëhet pjesë e kabinetit qeveritar si Ministër i Ushqimit dhe Agrikulturës. Prej largimit nga qeveria, ka shërbyer kryesisht në Komisionin e Jashtëm duke qenë një figurë autoritare në Bungestag.

Johann David Wadephul

Avokati nga Kieli i Gjermanisë është më i ri në parlamentin gjerman, por ka qenë pjesë e CDU që përpara katër dekadash. Për herë të parë për Shqipërinë foli rreth një vit më parë, kur u shpreh se oferta për ngritjen e qendrave të refugjatëve në Shqipëri, dukej pozitive. Ishte koha kur qeveria po bënte të pamundurën për të marrë mbështetjen e CDU në Gjermani për çeljen e negociatave. Por pavarësisht se lavdëroi Shqipërinë për këtë çështje, ai kërkoi largimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm.

Në nisje të krizës në Shqipëri, edhe ai u tregua i ashpër me opozitën shqiptare. Megjithatë një deklaratë e tij se nuk ka negociata nëse nuk hetohen vjedhësit e zgjedhjeve, entuziazmoi opozitën. Shqetësimet e tij për situatën në Shqipëri u shtuan dhe vetë Wadephul vuri firmën mbi dy deklarata për krizën, duke u vetëofruar për të zgjidhur situatën.

Nga kjo punë duket se ai është një ekspert, pasi vazhdimisht ka mbuluar çështjet e rajonit tonë në Parlamentin gjerman. Jo vetëm kaq, por zakonisht ka qenë i angazhuar në zona të nxehta. Kancelarja Angela Merkel e ka përfshirë në grupin e punës për politikat e jashtme në fushatat zgjedhore dhe është pjesë e grupit të Partisë Popullore Europiane.

Leave a Reply

  Subscribe  
Notify of