Home Ballina Qysh po guxon me thanë ‘jam veteran’?

Qysh po guxon me thanë ‘jam veteran’?

336
0
SHARE

Edhepse nga natyra e filozofia e të jetuarit, jam njeri paqësor, gjatê luftës i kam bërë nja 6 muaj si kryengritês, si rebel i armatosur kundër një shteti qê donte tê na zhdukte.

Që nga data 5 mars, kur u sulmuarn Jasharët, e deri në fundgusht 1998, kam qenê i armatosur (shumicën e kohës me armë t’dobêta). Kam ruajtur nê lagjen time dhe pastaj kur ‘u shkruam’ në UÇK, edhe në katund, në istikame e në pika ku rrinin tamam ushtarët e UÇK-së.

Kam ruajtur natën e ditën, u kam dalur natën, bashkë me kushërinj t’mi, në pritë forcave serbe, jam lajméruar të shkoj dhe kam pritur pêr njê pushkê pêr front dhe beteja të ndryshme qê po zhvilloheshin atëherë (p.sh. në Bellaqevc).

Si mê i vjetri, (23 vjeçar) kam qenê pêrgjegjês i grupit të tê rinjve tê lagjes sime që bashkë me 420 tê tjerë kemi shkuar në Gllogjan – për ushtrime ushtarake – dhe pastaj nëpër Junik jemi nisur përtej kufirit për të marrê armë (6-7 orë nga Juniku kemi rënë nê mina dhe jemi kthyer). Rruga e kthimit sikur ajo e shkuarjes atje, ka qenë e vështirë (predha, rafale, prita, raketa ndriçuese, granata…) dhe e pabesueshme, sidomos për rrethanat e sotme.

Pastaj, prapë kam qenê në istikame, disa herë i radhitur me ushtarët dhe komandantêt e UÇK-së duke pritur serbët.

Mirëpo, nuk kam qenë ushtar, nuk jam veteran, sepse nuk kam qenë në UNIFORMĒ, nuk kam pasur armë të gjatë PERSONALE dhe nuk kam dhënë një BETIM si ushtar.

Prandaj, disa vite më herët, kur kêtê popull e rrokën ethet e ‘veteranëve’ unë as NUK KAM APLIKUAR PËR STATUS VETERANI. Shumë shqiptarë janë befasuar me këtë, sepse edhe me 1/10 e kontributit tim kanë aplikuar, por UNË jo. Unë jo, sepse NUK JAM VETERAN.

UNË NUK JAM VETERAN.

Dhe, tmerrohem nga fakti se dikush – gazetat po shkruajnë se janë 19 mijë të tillë – mund tê thotë se ka qenë veteran i luftës pa qenê nê luftë dhe pa pasur atributet qê i pêrmenda.

Kjo ështê e tmerrshme!

E turpshme!

Madje, e tmerrshme dhe e turpshme është edhe tê krekosemi dhe ta përmendim luftën në kêtê konotacion.

Sepse:

Kur t’përmendet lufta, me qëllim që ta dimë sa idioteske, groteske dhe sidomos qesharake është kjo lehtësi e përmendjes së luftës, duhet t’i themi ca fjalë.

Vrazhdësia e së vërtetës ndoshta shkakton dhembje te disa pjesëtarë heroikë të kombit tonë, por ky nuk është faji im.

Pra, kush jemi ne që po e përmendim luftën?

– edhe unë që po shkruaj, edhe ti që po lexon këto radhë, kemi pasur dëshirë që të bëhemi bubrreca, miza,mushkonja…që askush të mos na shoh në vitin 1998, e sidomos 1999;

– ne jemi ata që si individualisht, ashtu edhe si komb, më së paku në historinë njerëzore, e kemi përkrahur luftën tonë (të fundit);

– ne jemi ata që nuk e kemi çliruar asnjë qytezë e asnjë qytet të Kosovës, asnjë, hiç;

– ne jemi ata që kemi ikur sa kemi mundur, dikush maleve, dikush n’qytete e dikush me mijëra km, larg, sa më larg Kosovës;

– ne jemi ata që ‘agilëve”, që kanë lënë të parët Kosovën, u kemi thënë se janë më të mençurit;

– ne jemi ata “burra” që kemi shikuar nga larg duke na i vrarë fëmijët, gratë e pleqtë dhe jemi strukur të kënaqur pse shpëtuam vetë;

– ne jemi ata që kemi lejuar që serbët t’i maltretojnë e përdhunojnë dhjetëra mijëra femra shqiptare;

– ne jemi ata që jemi gëzuar si kafshë kur në kolonat e deportimit, serbët kanë ndalur tjetrin/-ën e jo ne;

– ne jemi ata që u patëm dehumanizuar në atë masë, sa jemi rrahur mes vete kur xhelatët na hidhnin ca kore bukë, sa për një argëtim makabër;

– ne jemi ata që nuk kemi organizuar asnjë sulm hakmarrës, sado të dëshpëruar, pas masakrave të padëgjuara pas LDB;

– ne jemi ata që duke menduar se n’Maqedoni ende jemi n’rrezik, kemi filluar të shpërndahemi nëpër dynja;

– UNË, unë personalisht, jam ai, të cilit serbët ia kanë vrarë motrën (28 vjeçe) me djalin e saj (2 vjeç) dhe burrin e saj (31), axhën (44), gjyshin (85), gjyshen (83), vajzën e dajës (20), 11 kushërinj, shokun e ngushtë dhe 14 nxënës të mi (në mes moshës 11 dhe 13, fytyrat e ëmbla të të cilëve i mbaj mend sikur dje) dhe unë (n’atë kohë 24 vjeç, n’moshën ma t’mirë…) kam ikur dhe jam gëzuar pse ika … 2000 km larg Kosovës.

Larg Kosovës, t’cilën po vazhdojmë ta gënjejmë edhe sot.

Edhe guxojmë ta përmendim luftën!

Mosni, vllazni e motra se është marre!

Mosni, se krejt bota – sidomos fqinjët që na njohin mirë – qeshin me ne!
U bëmë gazi i botës, medet!

Mbetëm duke folur palidhje derisa fqinjët tanë mbetën t’u lodru n’tokën tonë!

E neve s’na vjen marre e dalim n’qarshi dhe ecim me mendjemadhësi false, me fodullëk primitiv e mjeran, me arrogancë frikacaku, që me të vetin është ujk, ndërsa me të huajin është kingj!

E turpshme!

Leave a Reply

  Subscribe  
Notify of