Lajme

Pas mashtrimit për vizitë në seli të NATO’s, ministrja kënaqet në dasmën për të cilën udhëtoi në Kanada

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj po qëndron në Kanada, nga ku ka publikuar fotografi teksa po merr pjesë në një dasmë shqiptare atje. Reshitaj, udhëtimin në Kanada për dasmë, është munduar ta përdor edhe për pozitën e saj zyrtare.

Dje, Ministria që ajo udhëheq njoftoi se Reshitaj është takuar me përfaqësues të NATO’s në Kanada, nga të cilët ka marrë përkrahje për shndërrimin e FSK’së në Ushtri. Periskopi edhe dje raportoi se ministrja Reshitaj nuk është takuar me asnjë zyrtar të NATO-s e as që ka zhvilluar vizitë në ndonjë organ të Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë. E për më tepër NATO-ja as që ka një seli në Toronto të Kanadasë.

Vizita e Reshitaj në Kanada ishte me qëllim të pjesëmarrjes në atë aheng familjar, nga ku edhe ka publikuar fotografi.

Takimi i saj i djeshëm me presidentin e Shoqatës për NATO-n në Kanada, Robert Baines në opinion është interpretuar si një lloj mbështetjeje që NATO-ja i ka dhënë Reshitajt për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, përmes avancimit të FKS-së.

E vërteta e Shoqatës për NATO-n në Kanada është se kjo organizatë nuk ka të bëj asgjë me mekanizmat e NATO-s e as nuk mund të flasë në emër të saj. Madje, në uebfaqen e kësaj organizate thuhet se “është e regjistruar si organizatë bamirësie”.

Në uebfaqen zyrtare të organizatës thuhet se Shoqata joqeveritare për NATO-n në Kanada

“Ne përpiqemi që të vetëdijesojmë kanadezët për NATO-n dhe qëllimet (e saj) mbi paqen, prosperitetin dhe sigurinë… NAOC ka raporte të forta me Qeverinë e Kanadasë. Ne në vazhdimësi jemi duke u përpjekur që të mbajmë raporte me organizata ndërkombëtare siç janë Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Zyra Qendrore e NATO-s, Tribunali Ndërkombëtar për Krime, si dhe të tjera organizata prominente joqeveritare”, thuhet në pjesën sqaruese lidhur me organizatën në vet uebfaqen e saj.

Ndërsa, në komunikatë thuhet se “ministrja Reshitaj ka marrë mbështetje nga presidenti i Asociacionit të NATO-s në Kanada, z. Baines për ngritjen e kapaciteteve dhe përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për realizimin e suksesshëm të rolit të saj”.

Por, Shoqata për NATO-n në Kanada nuk ka mekanizma ushtarakë që të mund ta ndihmojë avancimin të FSK-së, siç pretendon Ministria e Planifikimit dhe Mjedisit Hapësinor – përkundër se kjo çështje nuk është në domenin e ministrisë së saj. /Periskopi/

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments

ads

Ads