Basketboll, Sport

NBA: Lakersat e LeBronit e mposhtin Warriors të Curryt

Zhvillimi i disa ndeshjeve të NBA në mbrëmjen e Krishtlindjes tashmë është shndërruar në traditë. Nga 5 ndeshjet e luajtura, vëmendjen kryesore e merrte sfida mes Golden State Warriors dhe Los Angeles Lakers: Stephen Curry dhe Kevin Durant përballë LeBron James, një lloj revanshi për “Mbretin”, pas dy humbjeve radhazi në finalet e NBA (LeBron ishte pjesë e Cleveland Cavaliers).

Në “Oracle Arena” kalifornianët u dhanë një leksion kampionëve në fuqi, duke fituar 101-127, shifra këto që lënë pak vend për diskutim. Pas një periode të parë të ekuilibruar, Lakers morën epërsinë, duke e bërë diferencën në periodën e fundit me një rezultat të pjesshëm 19-39 e duke e mbyllur me pas sfidën me 26 pikë më shumë.

LeBron James ishte detyruar të largohej nga loja në periodën e tretë për shkak të një problemi muskular, por mungesa e tij nuk e pengoi formacionin e Luke Walton t’i imponohej me prepotencë kundërshtarit. James për 21 minuta që qëndroi mbi parket realizoi 17 pikë dhe kontrolloi 15 topa poshtë koshit. Mbrëmje për t’u harruar e Stephen Curry-t, që u ndal me 15 pikë, ndërsa Kevin Durant e mbylli me 21 pikë.

Përballje mjaft interesante edhe në “Toyota Center” mes Houston Rockets dhe Oklahoma City Thunder, që përfundoi 113-109. James Harden me 41 pikë, 7 asiste dhe 6 topa poshtë koshit fitoi sfidën me dyshen Paul George-Russell Wesbrook (49 pikë në total).

U luajt koha shtesë për të përcaktuar fituesin mes Boston Celtics dhe Philadelphia 76ers. 108-108 u mbyll koha e rregullt, por festa në fund ishte për vendësit që triumfuan 121-114 në “TD Garden”. Kyrie Irving tregoi klasin e tij me plot 40 pikë. “Ylli” i Celtics ishte vendimtar në barazimin e takimit në sekondat e fundit të kohës së rregullt, duke rezultuar MVP i ndeshjes.

Në “Madison Square Garden” New York Nicks iu imponuan 109-95 Milwaukee Bucks, duke e bërë të pavlefshme paraqitjen mbresëlënëse të Giannis Antetokounmpo, që spikati me 30 pikë dhe 14 topa poshtë koshit. Ndërsa sfida e “Vivint Smart Home Arena” në Salt Lake City mes Portland Trail Blazers dhe Utah Jazz u mbyll 96-117.

 

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments

ads

Ads