Ballina Lajme Kosovë KFOR po vëzhgon me kujdes Veriun… ja si paraqitet situata

KFOR po vëzhgon me kujdes Veriun… ja si paraqitet situata

258
0
SHPËRNDAJE

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë të shtunën se janë duke kryer detyrat e tyre normale nën mandatin e përcaktuar me Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

 

“Nuk ka kurrfarë bllokade në liqenin e Gazivodës (Ujmanit) dhe KFOR-i nuk ka vënë nën kontroll as liqenin e as ndonjë stacion hidroelektrik. Situata është e qetë dhe nën kontroll. KFOR-i është këtu për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në një postim të forcave paqeruajtëse në rrjetin social twitter.

Automjete ushtarake të KFOR-it u panë të shtunën në afërsi të liqenit të Gazivodës, që shtrihet përgjatë kufirit verior të Kosovës me Serbinë në rajonin e Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe ne veri të Kosovës. Ky liqen vlerësohet me rëndësi thelbësore për prodhimin e energjisë elektrike, pos tjerash për faktin se Termocentralet e Kosovës varen nga furnizimi me ujë prej tij.

Ditëve të fundit emri i liqenit është përmendur në kuadër të shqetësimeve për tensione të reja në veriun e Kosovës, që përkuan me afatin e dorëzimit të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pohimet se serbët e veriut të Kosovës mund të ndërmarrin veprime për shpalljen e njëanshme të autonomisë së tyre.

Përfaqësues të kishës ortodokse serbe në Kosovë thanë se mund të ketë një marrëveshje të fshehtë për të nxitur trazira të dhunshme në veriun e Kosovës dhe kjo të shfrytëzohej pastaj, për siç thuhet, krijimin e vijave ndarëse në baza etnike si një akt i kryer.

Të premten kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mblodhi Këshillin Kombëtar të Sigurisë në takimin e të cilit u shtimi i shkallës së gatishmërisë së institucioneve të rendit. Kryeministri siguroi pjesëtarët e komunitetit serb se Kosova është duke përmbushur detyrimet kundrejt marrëveshjeve të arritura ne Bruksel ndërsa paralajmëroi ndaj çdo veprimi të njëanshëm.

Bashkimi Evropian bëri thirrje për përmbajtje të palëve nga tensionet, ndërsa theksoi se do të hedh në takimin e radhës të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili tashmë është hartuar nga një ekip i veçantë i krijuar nga qeveria e Kosovës.

Të shtunën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të përfundojnë punën në hartimin e projekt-statutit të asociacionit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, që të përmbahen nga çdo lloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për vendin.

Në Beograd, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, mblodhi Këshillin e Sigurisë dhe u takua me shefin e Kishës Ortodokse serbe, patriarkun Irinej dhe pas këtyre takimeve tha se “veprimtaria e agjenturave” në dhjetë ditët e fundit e solli Serbinë në situatë që të mbrohet nga “thashethemet”.

“Dhe tani a duhet të jemi të lumtur? Do të duhej të ishim të lumtur që ka ndodhur diçka, siç është formimi i bashkësisë së komunave serbe dhe jo që sot nuk na goditën. Gjatë ditëve të kaluara kishim veprimet e shumë qendrave të jashtme sipas të cilave diçka e tmerrshme po zihet, se si kriminelët e tmerrshëm nga Beogradi me disa kriminelë më të vegjël në Prishtinë, diçka po përgatisin”, tha presidenti serb, duke ju referuar posaçërisht shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe në Kosovë.

Një ditë më parë ai u drejtoi një letër të hapur serbëve të Kosovës duke kërkuar që siç thuhet, të shmangin çdo veprim që mund të shërbente si shkas për veprime kundër tyre.

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët janë përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve, që është kusht për integrimin në Bashkimin Evropian. Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Por, është e paqartë se si do të duket ajo marrëveshje dhe palët kanë hedhur idetë për ndarjen tokësore të Kosovës apo shkëmbimin e territoreve, veriun e Kosovës – Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës.

Asnjëherë deri tash këto çështje nuk janë shtruar zyrtarisht në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtarë deri vonë ishte i prerë në qëndrimet se nuk mund të ketë ndryshim kufijsh për shkak të efektit “domino” në rajonin që kishte përjetuar luftëra të përgjakshme në fund të shekullit të kaluar./Zëri i Amerikës/VOA/

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments