Home Opinione Kërkesa për punë dhe agjenda e stërngarkuar e ministrit

Kërkesa për punë dhe agjenda e stërngarkuar e ministrit

188
0
SHARE

Salla ku mbahej mbledhja ishte e mbushur plot! Të gjashtë zëvendësministrat ishin prezentë në sallë, të ulur pranë njëri-tjetrit. Ministri po vonohej sepse, për çudi, sot e kishte zënë gjumi më shumë se ditëve tjera. Ndoshta kishte arsye! Mbrëmë ishte kthyer shumë vonë nga një darkë madhështore në Hajvali!

Kamerieri solli kafetë dhe shishet me ujë!

Ministri më në fund hyri në sallë! Kërkoi falje dhe u ul në vendin e tij. Të gjithë kishin mendim të mirë për ministrin. Ai njihej për delikatesën e tij. Ishte gjithmonë i qetë dhe i matur. Kishte vetëm një të metë: ishte i pangopur! Pëlqente shumë drekat dhe darkat!

Mbledhja filloi.

Zëvendësministri Nr. 4 nxori disa shkresa nga dosja. Njërën shkresë ia zgjati ministrit dhe po priste përgjigjen. Ministri po e lexonte shkresën me kërshëri. Kjo shkresë ishte një lutje për një vend pune, nga një njeri me arsim dhe kualifikim të lartë. Ai shkruante për jetën e tij, për vështirësitë dhe hallet që po haste si një i papunë! Kërkonte punë, të paktën, një apo dy herë në javë sa për të plotësuar nevojat ushqimore për vete dhe familjen e tij. Ishte kjo kërkesa e tij e shtatë apo e tetë me radhë!

Ministri u zhyt në mendime. Kërkesa që sapo lexoi i kujtoi darkën që kish ngrënë mbrëmë.

Shumica e të pranishmëve aty në sallë kishin qenë prezent në darkën e mbrëmshme. Përveç zëvendësministrit Nr. 5 .

– Si duket, nuk po të pëlqen shoqërimi me ne – iu drejtua ministri zëvendësministrit Nr. 5!

– Oh, jo, jo i nderuari ministër; isha shumë i zënë mbrëmë! Kërkoj falje që nuk isha prezent!

– Sidoqoftë, mbrëmë ke lëshuar një rast të mirë për të qenë pjesë e një ahengu të madh me ushqime të bollshme. Besoj se pajtoheni ju të tjerët!

Të gjithë njëzëri pohuan me kokë se pajtoheshin!

– Besoj se sot nuk keni pranuar ndonjë ftesë për drekë, sepse sot jeni të ftuarit e mi për qebapë. Herën e fundit zëvendësministri Nr. 2 nuk doli i kënaqur me përzgjedhjen time!

– Epo, herën e kaluar ne ishim tek ajo qebaptorja e cila nuk përmbushi pritjet e mia. Unë pata bërë përzgjedhjen për “Te Beqa”, mirëpo ju kishit mendjen diku tjetër – ia ktheu zëvendësministri Nr. 2.

– Mirë de, sot keni rastin të provoni qebapët aty ku ju dërgoj unë! Të them të drejtën, “Te Beqa” nuk i bëjnë qebapët aq të mirë! Nuk e di pse, më duken disi si të papjekur. Ndoshta gabohem!

Zëvendësministri Nr. 2 lëkundi kokën në shenjë mohimi duke i bërë me dije ministrit se nuk pajtohej me të.

– Nuk mund të pajtohem me ju, i nderuar ministër, sepse pikërisht qebaptorja “Te Beqa” njihet si një ndër vendet ku bëhen qebapët më të mirë në krejt qytetin. Ndoshta gabohem. Nuk e di!

– Mirë, më thuaj atëherë zëvendësministër Nr. 3, darka që ishim bashkë mbrëmë, a ishte e nivelit të lartë? A i përmbushi sadopak pritjet tuaja prej një aristokrati?

– Pa dyshim, i nderuari ministër, darka e mbrëmshme ishte për mbamendje! Më pëlqeu shumë ajo batuta e presidentit me ambasadorin amerikan këtu tek ne!

Papritmas, zëvendësministri Nr. 4 ndërhyri në bisedë:

– Kërkesa që keni në dorë, i nderuari ministër është kërkesa numër 7 apo 8 që … – mirëpo, nuk mundi ta përfundojë fjalinë e tij sepse në ndërkohë ra zilja e telefonit nga salla tjetër.

Asistenti hyri në zyrë dhe iu drejtua ministrit.

– Z. Ministër, keni një thirrje nga kryeministri.

Ministri doli me vrap nga zyra dhe menjëherë u përgjigj në thirrjen e kryeministrit.

– Përshëndetje! Ç’kemi të reja?

– Përshëndetje ministër! Dëgjo, kam një lutje për ty. Një mik imi ka nevojë që djali i tij që aktualisht punon në MPJ, të ketë mundësinë e transferimit në stafin diplomatik të Ambasadës së Kosovës në Uashington! Shih çfarë mund të bësh në lidhje me këtë.

– Patjetër, i nderuari kryeministër, kjo tashmë është një punë e kryer – iu përgjigj ministri me gojën plot.

– Mirë pra, kaq kisha, punë të mbarë ministër – ia ktheu kryeministri

– Kisha kënaqësinë e bisedës me ty, i nderuari kryeministër! Punë të mbarë edhe juve!

Me t’u kthyer në sallë, zëvendësministri Nr. 4 ia rikujtoi ministrit kërkesën që sapo ia kishte dhënë, mirëpo ai kishte dëshirë që ta vazhdonte bisedën e qebapëve dhe iu drejtua zëvendësministrit Nr. 2.

– Shiko, zëvendësministër Nr. 2, unë insistoj që ju sot t’i përgjigjeni ftesës time për drekë në qebaptoren “Te Muli”. Përveç qebapëve, kjo qebaptore është e njohur edhe për përgatitjen e menyve të mishit të përzier. Herën e fundit me shefin tim të Kabinetit sa nuk u rrëzuam përtokë nga të ngrënit e tepërt.

– Patjetër, do jem aty – ia ktheu zëvendësministri Nr. 2.

– Shihemi pra atje – u përgjigj ministri dhe u ngrit nga karrigia duke nënkuptuar se mbledhja kishte marrë fund.

Zëvendësministri Nr. 4 u ngrit dhe iu afrua ministrit me kërkesën e tij në dorë.

– Ministër, po kjo puna e kërkesës?

– Herën tjetër zëvendësministër – ia ktheu ai – sot kemi punë më të rëndësishme për të bërë!

Leave a Reply

  Subscribe  
Notify of