Home Ballina Lulzim Kadriu ish-drejtor në Skenderaj, i dënuari për korrupsion bëhet drejtor i...

Lulzim Kadriu ish-drejtor në Skenderaj, i dënuari për korrupsion bëhet drejtor i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Inovacionit

400
0
SHARE

Me 88.3 nga 100 pikë, kandidati më i suksesshëm për drejtor të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, kishte dalë Lulzim Kadriu.

Kadriu ka qenë drejtor në Drejtorinë për Administratë, e më vonë për Gjeodezi dhe Kadastër, në Komunën e Skenderajt, të udhëhequr nga Sami Lushtaku.

Ministria që udhëhiqet nga Besim Beqaj i PDK-së, është bërë strehë për rehatimin e zyrtarëve të kësaj partie nga komunat e tjera, kryesisht nga Skenderaj, raporton KTV.

Kadriu ishte akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, bashkë me zyrtarë të tjerë, por vetëm ai dhe Halim Gecaj ishin gjetur fajtorë.

Të dy, në fund të tetorit të 2017-s, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ishin dënuar me nga 6 muaj burgim që me kërkesë të tyre, u ishte konvertuar në gjobë prej nga 1,800 eurosh.

muaj më vonë, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë, derisa rastet e tyre kishin të bënin me dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës, pa miratim të Kuvendit Komunal.

KTV-ja ka tentuar së paku dy ditë të vihet në kontakt me Kadriun, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e mesazhet telefonike, ku i janë bërë pyetjet.

Derisa zyrtarë për informim në Ministrinë për Inovacion, i kanë thënë KTV-së se Kadriu ndodhet në udhëtim zyrtar në shtetin e Shqipërisë, ku edhe do të qëndrojë deri ditën e martë.

Por, avokati që e kishte përfaqësuar në këtë rast penal, Qëndrim Rama, vendimet e dy shkallëve i ka quajtur të gabuara, pasi, sipas tij, në asnjë rast nuk është vërtetuar se kush ishte dëmtuar dhe kush kishte përfituar nga ky rast.

“Në rastin konkret, Gjykata e Apelit, gabimisht ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me ç’rast ka theksuar se ka keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që në asnjë instancë të gjykatës nuk është vërtetuar se kush është i dëmtuar në rastin konkret dhe kush ka përfituar nga keqpërdorimi i detyrës. Nuk ka pasur as keqpërdorim, pasi që vendimi ka pasur edhe vlerësimin paraprak të vlefshmërisë”, ka thënë Qëndrim Rama, avokat.

KTV-ja, ditëve në vazhdim, do të sjellë edhe raporte të tjera mbi praktikat e punësimit në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. /koha.net/

Leave a Reply

  Subscribe  
Notify of