Ballina Ballina Historia e ish-djalit të varfër të lagjes më famëkeqe të Stambollit

Historia e ish-djalit të varfër të lagjes më famëkeqe të Stambollit

310
0
SHPËRNDAJE

Rexhep Taip Erdogan, pas 12 vjetësh kryeministër i Turqisë, është zgjedhur më 10 gusht 2014 president i ri i këtij vendi, pasi ka fituar 52.1 përqind të votave.

Pasi mandati i tij skadonte në vitin 2015, pasi ai nuk kishte më të drejtë të zgjidhej kryeministër, Erdogan u fut në garën presidenciale duke e ndryshuar thellësisht konfigurimin e shtetit turk, nga një republikë parlamentare drejt një modeli presidencial.

Gjatë fushatës ai e bëri disa herë të qartë se nuk do të jetë një president kukull, por një kryetar aktiv shteti që do të drejtojë përmes partisë islamo konservatore AKP, që ai e kontrollon plotësisht.

Po kush është ky njeri, cilat janë bindjet karriera dhe betajat e tij kryesore?
Rexhep Taip Erdogan u lind më 26 shkurt 1954 në Stamboll.  Ai u bë Kryeministër i Turqisë më 14 mars 2003, pesë ditë pasi fitoi në zgjedhjet e përsëritura në provincën Siirt.

Udhëheqës i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Erdogan mori kontrollin e funksionit të Kryeministrit nga zëvendëskryetari i partisë së tij, Abdullah Gul, i cili kryesoi qeverinë pas fitores së përgjithshme të AKP-së në zgjedhjet e nëntorit 2002.
Pas Grushtit të Shtetit më 12 Shtator 1981, Erdogani u bë pjesë e Partisë Refah. Në vitin 1994 Erdogani ishte kandidat për Kryetar Bashkie i  Stambollit dhe në ato zgjedhje, u zgjodh në atë post.

Pasi Gjykata Kushtetuese e mori vendimin që të mbyllet Partia e Fazilet’it, deputetët e këtij subjekti politik, filluan të punojnë për një Parti të re, dhe deputetët u ndanë ne dy rrugë. Atë të “Tradicionalistëve” dhe “Reformistëve”.

Me udhëzimin e Recai Kutan u formua Saadet Parti, që u krijua nga Tradicionalistët. Ndërsa Erdogan vazhdoi rrugën duke krijuar Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (turq; Adalet ve Kalkinma Partisi)në vitin 2001, ku u zgjodh si lideri i këtij subjekti.
Politika e Jashtme

Protagonist i politikës ndërkombëtare për shkak të pozicionimeve luftarake dhe aftësive të tij për të ndjekur një politikë autonome, të pavarur nga aleatët e tij “tradicionalë”, me biografinë e tij, Kryeministri Erdogan duket se pasqyron kontradiktat dhe identitetet që përbëjnë imazhin kaleidoskopik të Turqisë së mijëvjeçarit të ri.
Për më shumë se 80 vjet, Turqia ka treguar një imazh zyrtar të vetes që përfaqësonte pak mendimin dhe idetë e njerëzve të thjeshtë.

Mustafa Kemali, babai i famshëm i turqve, e kish drejtuar popullin e tij drejt konsolidimit të një shteti – komb modern dhe shekullar, duke abroguar autoritetin e Perandorisë Otomane, “e sëmura e madhe e Europës”, që u shemb nga goditjet e lëvizjeve indipendentiste.

Qysh atëhere, klasa e re drejtuese turke ka ndjekur me fanatizëm ideologjinë kemaliste dhe ka kërkuar që të eliminojë çdo mbeturinë të së kaluarës perandorake dhe ta bëjë Turqinë më të ngjashme me Europën fqinje.

Islami u abrogua si feja shtetërore, alfabeti arab u zëvendësua nga shkronjat latine, poligamia u eliminua dhe iu dha e drejta e votës grave. Veç kësaj, ndërsa kodet civile, penale dhe tregtare u azhornuan sipas shembullit të atyre europiane dhe gjykatat islamike u abroguan, ushtarakëve iu besua roli i kontrollit dhe i kalibrimit të identitetit politik e kulturor të Turqisë.

Ushtrisë iu dha e drejta të ndërhynte në momentet në të cilat Kushtetuta e re nuk zbatohej.

Për tri herë të mira ushtarakët kanë ndërhyrë në jetën politike turke duke i marrë drejtpërsëdrejti frenat e pushtetit. Kurse në raste të tjera ka qenë Këshilli i Sigurisë Kombëtare, gardian i ortodoksisë kemaliste, që ka shkrirë formacionet politike antipatike: përpara vitit 1989 partitë që i përkisnin të majtës komuniste dhe, pas kësaj date, ato të afërta me idealet islamike.

Në vitin 1997, “grushti i shtetit i heshtur” i fundit i Këshillit ka shkrirë partinë e Welfare (Refah) e ish-Kryeministrit Necmettin Erbakan, mentor gjatë viteve universitare të inicimit politik të Erdogan.

Origjina e varfër
Origjina e varfër dhe rrugëtimi i tij jotipik e bëjnë Erdoganin një model për klasën e mesme konservatore. Biri i një rojeje bregdetare, i rritur nëpër rrugët e një prej lagjeve më famëkeqe të Stambollit, i shtrënguar nga varfëria në të cilën dergjej familja e tij të shiste nëpër rrugë limonata dhe simite, Erdogani ka marrë një arsim islamik shumë të ngurtë, përpara se të diplomohej në administrim biznesi në Universitetin e Marmarasë.
Në ndryshim nga protagonistët e tjerë politikë të Turqisë moderne, karriera politike e tij nuk i detyrohet as militimit në partinë trashëgimtare të ideologjisë kemaliste të Ataturkut, as punësimit në burokraci.

Në sytë e turqve, Erdogan nuk i ka ndyrë duart duke bashkëpunuar me sistemin shtetëror të korruptuar, që bile e ka burgosur për idetë e tij dhe e ka pezulluar nga aktiviteti publik.
Tifoz futbolli, lojë në të cilën ka luajtur si profesionist gjatë viteve të universitetit, është edhe mysliman konservator, që deri pak kohë më parë e shmangte dhënien e dorës grave dhe preferonte që të mos ulej në tavolinë nëqoftëse shokët e tavolinës konsumonin pije alkoolike.

Rasti i parë për të demonstruar aftësitë politike të tij, pas vitesh militomi në Partinë Refah, i është paraqitur kur u zgjodh kryebashkiak i Stambollit në vitin 1994.
Efektiv dhe karizmatik, nga kjo përvojë siguroi një konsensus të madh pasi përballoi me aftësi çështje si mungesa e ujit, ndotja dhe trafiku metropolitan, madje tentoi edhe të ndalojë shitjen e pijeve alkoolike në vendet publike.
Ka mundësi, diplomimi i tij në menaxhim biznesi ka rezultuar i dobishëm për të shëndoshur financat e një prej qyteteve më kaotike dhe të mbipopulluara në botë. Lufta kundër korrupsionit i garantoi mbështetjen e klasave popullore, në pjesën më të madhe të fesë islamike dhe të biznesit të vogël, i lodhur nga keqqeverisja.
Në fakt, në nivel ndërkombëtar, synimet e Turqisë janë përqendruar në shumë fronte.
Tradicionalisht, Turqia portretizohej si një vend i afërt me Perëndimin. Megjithatë, kohët e fundit, vendi duket se po largohet nga brigjet perëndimore për të shikuar nga Lindja.
Procesi i gjatë dhe i lodhshëm në Bashkimin Europian, i nisur në tetor të 2005 dhe i avancuar me vendosmërinë e Erdoganit, duket akoma larg nga një zgjidhje e mundshme. Kërkesat e Bashkimit Europian janë bërë gjithnjë e më të forta dhe vetë popullsia turke është bërë e pakënaqur ndaj një projekti që e kishte mbështetur me shumë entuziazëm.
Tani që Turqia, për t’iu shmangur standardeve europiane, ka arritur ta reduktojë rolin e ushtarakëve dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të përmirësojë paraqitjet e ekonomisë kombëtare dhe po impenjohet për të reformuar Kushtetutën, banorët e saj duken më pak të interesuara ndaj fateve të kësaj “fejese të përjetshme” me Europën dhe janë të gatshëm të shikojnë tjetërkund.
I njëjti Erdogan që, për largpamësi politike apo për oportunizëm, vazhdon që të mbështesë shpirtin evropian të Turqisë, në vitet e fundit ka filluar që të dizenjojë një profil të ndryshëm të politikës së jashtme turke.
Me pak fjalë, megjithëse Turqia mbetet një aleate e Shteteve të Bashkuara dhe një anëtar aspirues i Komunitetit Europian, ajo ka nisur t’i ripërcaktojë në mënyrë autonome interesat e saj, në disa raste duke u shkëputur nga mbështetja amerikane dhe europiane.
Ballkani
Një tjetër pikë e rëndësishme e politikës së jashtme turke është interesi për Ballkanin. Faktikisht, në periudhën e fundit kontaktet dhe marrëdhëniet diplomatike midis Turqisë dhe vendeve ballkanike, në të kaluarën në orbitën e Perandorisë Otomane, janë intensifikuar.
Objektivi është ai i një bashkëpunimi strategjik, sidomos në fushën ekonomike dhe të një forcimi të stabilitetit rajonal.
Ky proces i futjes së Turqisë në Ballkan e ka pasur fillimin me dështimin e samitit të Butmirit, një takim lidhur me reformat kushtetuese të organizuar më 9 tetor 2009 nga amerikanë dhe europianë.
Në emër të një bashkësie historike (e kaluara otomane) dhe fetare (islami) Turqia, së bashku me Rusinë, paraqiten si partner alternativ për një rilançim të rajonit, që shpesh duket i braktisur nga Europa dhe nga vendet fqinje të Mesdheut.

 

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments