Ballina, Kosovë, Lajme

Haliti thotë se qeveria mund të bjerë, ministrin Sefaj e quan viktimë

Ndonëse të premten e javës së shkuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e MPB-së nga AKR Flamur Sefaj, AKR-ja ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar.

Megjithatë, ka pasur deklarata individuale nga përfaqësuesit e këtij subjekti, disa prej të cilëve kanë thënë se AKR-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë, e disa të tjerë që kanë paralajmëruar daljen nga ekzekutivi.

Lidhur me këtë çështje, Xhavit Haliti ka vlerësuar se ministri Sefaj është viktima e vetme e tërë asaj që ka ndodhur ditëve të fundit, pas dëbimit të 6 shtetasve turq nga Kosova.

“Në gjithë këtë katrahurë ai është viktima e vetme e kësaj situate. Viktima e vetme pra është ministri i Brendshëm, të tjerët janë në rregull”, ka nënvizuar ai.

Duke folur rreth funksionimit të koalicionit, Haliti ka thënë se Qeveria mund të bjerë në rast se nuk arrin të punojë sipas ligjeve dhe Kushtetutës.

“Rregullat janë për funksionimin ose jo të koalicioneve, nëse koalicioni nuk i plotëson normat e përcaktuara me ligj dhe me Kushtetutë domethënë që Qeveria është në rënie. Nëse ka rrezik, atëherë i takon Qeverisë që të bisedojë me të tjerët për ta arritur numrin e votave që i duhet për ta mbajtur koalicionin, në të kundërtën dihet rezultati”, ka deklaruar ai.

Haliti gjatë bisedës për “Zërin” nuk ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Në politikë asgjë asnjëherë nuk është e pamundshme, gjithçka është e mundshme”, ka thënë shkurt ai i pyetur rreth kësaj çështjeje.

Kurse këshilltari politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka thënë se Qeveria është duke i kryer të gjitha detyrat.

“Qeveria e Kosovës është duke i kryer të gjitha detyrat dhe agjendën shtetërore sipas ligjeve dhe Kushtetutës”, ka potencuar ai.

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments

ads

Ads