Ballina Lajme Kosovë Gruaja e hekurt që po kërkon në Lepenc natë e ditë policët...

Gruaja e hekurt që po kërkon në Lepenc natë e ditë policët e zhdukur

290
0
SHPËRNDAJE

Qindra persona po marrin pjesë në kërkimin e dy policëve të zhdukur në lumin Lepenc, por ajo që bie në sy në mesin e gjithë këtyre njerëzve është një grua rreth të dyzetave, e cila mbante shtrëngueshëm një shufër të gjatë hekuri duke kontrolluar çdo pëllëmbë të lumit

Magbule Bela nga Hani i Elezit për të pestën ditë me radhë në mënyrë vullnetare iu është bashkangjitur njësive të kërkim-shpëtimit, në përpjekje për të gjetur ndonjë gjurmë të dy policëve të rënë në lumin Lepenc, të shtunën e javës së kaluar. Ajo vazhdimisht i ikën objektivit të fotoaparatit, e ndërsa i afrohemi afër ajo na thotë me zë të heshtur: “Mos me qit në fotografi se po më vjen marre se menojnë gjinja se për qata kam dalë”.

“K’të po e baj n’mënyrë vullnetare se kjo mundet me i ndodhë çdokujt dhe gjithsecili e ka për obligim me e ndihmu njani-tjetrin mirëpo unë edhe i kam njoftë te dy ata djem se kam lidhje familjare me ta e janë shumë djem t’mirë, është gjynah çka ju ka ndodhë”, thotë Magbulja teksa vazhdimisht ngul shufrën e hekurt duke kontrolluar nëpër lumë.

“Bulja është e fortë se u kanë në UÇK e nuk tutet”, thotë një nga banorët e zonës, i cili derisa veterania e UÇK-së ishte futur thellë në ujërat e ftohta të lumit Lepenc, ai po i  bënte fotografi nga bregu. E, ajo me një buzëqeshje të hidhur i thotë: “Na e kemi obligim me i ndihmu vendit në çdo kohë si n’luftë, si n’paqe”.

Magbulja thotë se ka ardhur nga Holanda dhe i është bashkangjitur luftës së UÇK-së në zonën operative të Pashtrikut, konkretisht ka qenë pjesëmarrëse në Betejën e Koshares. Ajo thotë se e ka pasur komandant në atë kohë Rrustem Berishën, tash ministër i FSK-së, ministri e cila po udhëheq me operacionet e kërkim-shpëtimit në përpjekje për gjetjen e policëve Armend Trena e Malësor Dashi, shkruan Indeksonline.

“Unë tash me punu s’punoj kërkun, jetoj me një pension 170 euro që e marr nga shteti si veterane e luftës, shteti nuk m’ka gjet naj punë e jam met qeshtu, niher po kontriboj në mënyrë vullnetare najsen, çka po kam mundësi. Unë e kam pasë një rast të tillë në familje prandaj jam shumë e ndjeshme…”, thotë me zë të ulët Magbulja, teksa tregon se para disa viteve i është mbytur në ujë vajza e vëllait dyvjeçare.

Edhe pse nuk është pjesëtare e FSK-së dhe pa kurrfarë pajisjesh të sigurisë, Magbulja  rend e para duke çarë rrjedhën e lumit në kërkim të dy policëve ashtu siç dikur ajo me pushkë në dorë në mënyrë vullnetare i ishte bashkangjitur luftës së UÇK-së.

Ndërsa, Magbulja tash në dorë mban një shufër të kthyer hekuri ku me vullnetin e saj po ashtu të hekurt gjurmon gjithçka, me shpresën se do të gjejë qoftë edhe ndonjë shenjë se dy policët mund të jenë diku të gjallë ose të vdekur, shpresë e cila bashkë me errësirën dhe ftohtësinë e natës po bie dhe po humbet në ujërat e turbullta e të rrëmbyeshme të lumit Lepenc.

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments