Home Ballina Droga dhe emigracioni, Policia e BE merr nën kontroll kufijtë e Shqipërisë

Droga dhe emigracioni, Policia e BE merr nën kontroll kufijtë e Shqipërisë

79
0
SHARE

Kufiri i Shqipërisë bëhet kufiri i jashtëm i Bashkimit Europian. Cilat janë dy arsyet kryesore që çuan në këtë ndërhyrje të paprecedentë të policisë kufitare europiane dhe si do të funksionojë kjo marrëveshje në terren?! Qeveria e quan arritje dhe afrim me BE, ndërsa eksperti i kufirit Pëllumb Nako e konsideron dështim

Rritja rekord e numrit të azilantëve shqiptarë në muajt e parë të këtij viti në masën 26.5 për qind ka përshpejtuar konkretizimin e një marrëveshje të firmosur 6 muaj më parë mes qeverisë shqiptare dhe FRONTEX (Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian) çka ka sjellë zbarkimin në vendin tonë të policëve europianë në kufirin e gjelbër.

Autoritetet shqiptare e cilësuan këtë marrëveshje një sukses të vendit tonë, ndërsa ekspertët e quajnë një “dorëzim” të shtetit, pasi nuk kanë arritur të menaxhojnë si duhet kufirin.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshi e cilësoi këtë mision një moment afrimi me BE-në. “Ky mision rrit sigurinë e kufijve tanë. Çdo investim për siguri duhet të shtojë edhe më shumë lirinë. Nëse dikur këta kufij ishin izolim për vendin tonë, ata tashmë po shtrohen në ura komunikimi tejet intensive”, -tha ai.

Kjo marrëveshje u është propozuar dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por ekspertët thonë se jo të gjithë kanë pranuar.

Komisioneri i BE-se për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos tha sot në Tiranë se “kjo marrëveshja është e para dhe e vetmja e këtij lloji, është operacioni i parë në botë, me një vend joanëtar të BE. Kjo jo vetëm shënon një fazë të re mes BE e Ballkanit, por është edhe një hap më tej drejt operacionalizimit të agjencisë”.

Por, sipas ekspertit Pëllumb Nako, ish-drejtor i Kufirit, një operacion i ngjashëm është realizuar në Libi, kur BE me miratimin e OKB-së ndërhyri në ujërat territoriale libiane për të parandaluar fluksin e trafikut klandestin.

Nako është kritik dhe beson se është dështim i shtetit shqiptar për sigurinë e kufijve që ka sjellë policinë europiane këtu. “Frontex-i do të veprojë në Shqipëri njëlloj si Guardia di Finanzia italiane në ujërat tona territoriale nga viti 1997 deri më sot. Atë që bëri Italia vite më parë, sot po e bëjnë të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Pra, të garantojë bllokimin në vend të flukseve migratore që burojnë nga vendi ynë ose tranzitojnë nëpërmjet territorit të tij”, tha ai në një komunikim me MAPO-n. Sipas tij, më shumë se bashkëpunim, kemi të bëjmë me një marrëdhënie “beso e kontrollo” dhe ky nuk është partneritet.

Detajet, si do të vihet në punë kjo marrëveshje

Operacioni fillon në një kohë kur, numri i imigrantëve të parregullt gjatë vitit 2018 pësoi rritje prej mbi 6.7 herë, në krahasim me vitin 2017, ndërsa për periudhën janar – 14 Maj 2019, ka pësuar rritje prej 26.5 %, krahasuar me njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Operacioni “Joint Operation Flexible Operation Activities, Western Balkan 2019” zhvillohet në zbatim të Marrëveshjes statusore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbi veprimet e ndërmarra nga FRONTEX në Shqipëri duke nisur nga data 22 Maj 2019 për një periudhë të pacaktuar. Operacioni do të ketë si objektiv mbikëqyrjen e kufirit tokësor, por edhe në pikat e kalimit kufitar me një përforcim në Kakavijë dhe Kapshticë. Periudha e parë e operacionit është caktuar 28 ditë, deri më19 Qershor dhe gjatë kësaj kohe nga FRONTEX do të angazhohen 50 roje kufitare dhe personel civil: Në kufirin e Kapshticës 27 punonjës policie dhe 2 personel civil dhe në stacionin e Policisë Kufitare Kakavijë do të angazhohen 19 punonjës policie dhe 2 personel civil.

Gjatë operacionit, vendet anëtare do të vendosin 1 sistem të vëzhgimit të kufirit me kamera termike dhe multisensor – TVV Van (Policia çeke), ndërsa nga Policia Federale Gjermane do të angazhohen dy sisteme të tjera të vëzhgimit të kufirit, me kamera termike dhe multisensor, të cilat në përfundim të operacionit, do ti dhurohen Policisë Kufitare shqiptare. Patrullat do të jetë të pajisura edhe me pajisje të tjera të vëzhgimit të kufirit, si dylbi dite dhe nate si dhe kamera termike.

Nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, në Operacion do të angazhohen, me kohë të plotë 26 punonjës policie.

Operacioni do të drejtohet nga Polica e Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin). Megjithëse me kompetenca ekzekutive, oficerët e vendeve pjesëmarrëse në operacion, të dislokuar nga FRONTEX, do të shërbejë bashkërisht me rojet kufitare shqiptare dhe mund t’i ushtrojnë këto kompetenca vetëm në prezencën e rojeve kufitare shqiptare.

Përveç forcimit të sigurisë kufitare, operacioni do të mundësojë edhe forcimin e bashkëpunimit operacional, forcimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacionit, parandalimin dhe goditjen e të gjitha aktiviteteve kriminale ndërkufitare, identifikimin e dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe të mashtrimeve me identitetin, identifikimin e rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në mbikëqyrjen dhe kontrollin kufitar.

Operacioni do të ofrojë mbështetje, gjithashtu edhe për përzgjedhjen e imigrantëve të parregullt, grumbullimin e informacionit, nga intervistat me imigrantët e parregullt, por edhe në zhvillimin e trajnimeve të cilat do të vlerësohen të nevojshme gjatë zhvillimit të operacionit.

Policia e BE-së do të sjellë pajisjet e saj kompjuterike në zyrat e punës dhe shteti shqiptar ka krijuar kushtet administrative për lejimin e hyrjes me armë të oficerëve të vendeve anëtare të BE-së, që do të marrin pjesë në operacion si dhe për miratimin e autorizimit të përkohshëm për armët. Për komunikimin gjatë operacionit, nga ana e Policisë federale Gjermane janë blerë 80 radio dore, të cilat janë në proces programimi.

Reuters: Shqipëria lejoi Frontex-in pasi do hapjen e negociatave

Lajmi për vendosjen e agjencisë së kontrollit të kufijve të BE, Frontex, në vendin tonë, është pritur në mënyra të ndryshme online. Disa thonë se Shqipëria nuk kontrollon as kufijtë e saj, të tjerë thonë se kjo marrëveshje është në të mirë të vendit tonë. Ja çfarë shkruan agjencia Reuters

Agjencia e kontrollit kufitar e Bashkimit Europian, Frontex, u vendos për herë të parë të martën jashtë BE, duke u stacionuar në kufirin e Shqipërisë me Greqinë për të ndihmuar në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit.

Të mbikëqyrur nga një drejtues shqiptar, oficerët e Frontex janë të autorizuar të veprojnë si oficerë shqiptarë për të parë kalimet e paligjshme, për t’i kontrolluar dhe mbledhur informacion, si dhe për të luftuar trafikun e njerëzve, të drogës dhe vjedhjen e makinave.

Ne jemi të vetëdijshëm se presioni është i lartë dhe kjo rrugë është dinamike, prandaj duhet të jemi të gatshëm në rast se flukset e migracionit të paligjshëm do të shtohen gjatë kësaj vere, tha për Reuters drejtori ekzekutiv i Frontex, Fabrice Leggeri.

Shqipëria është e gatshme që të lejojë vendet anëtare të BE që të shohin se sa serioze është në luftën kundër krimit, në mënyrë që të rrisë shanset për të nisur bisedimet e pranimit në BE.

Dimitris Avraopoulos, Komisioner i BE për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, tha se situata e përgjithshme përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor është e qëndrueshme, me nivel të ulët të ardhurish.

Por ai tha: Ne duhet të mbetemi vigjilentë.

Vendet anëtare pjesëmarrëse në Operacion dhe kontributet e tyre janë si më poshtë:

Shteti anëtarPunonjës policieAutomjete
Gjermania135 automjete patrullimi2 mikrobusë me sisteme mbikëqyrje kufiri
Republika Çeke103 automjete patrullimi1 mikrobus me sistem mbikëqyrje kufiri
Kroacia115 automjete patrullimi
Sllovenia42 automjete patrullimi
Austria21 automjet patrullimi
Holanda4 përkthyes (personel civil) 
Rumania1 
Letonia1 
Finlanda1 
Italia1 
Franca1 
FRONTEX1 
Në total5019


Leave a Reply

  Subscribe  
Notify of