Ballina, Kosovë, Lajme

Agim Shahinit i vërtetohet dënimi me burgim për mashtrim

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin prej 18 muajsh burgim me kusht, kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, i cili ishte shpallur fajtor për veprat penale të mashtrimit dhe dëmtim të kreditorëve

Po ashtu, për shkak të veprave të njëjta penale, Apeli ia ka vërtetuar dënimin me 18 muaj burgim me kusht edhe Skënder Shahinit, vëllait të kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, shkruan Betimi për Drejtësi.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të shpallur më 9 shkurt të vitit të kaluar, vëllezërit Shahini ishin shpallur fajtorë për veprat penale të mashtrimit dhe dëmtimit të kreditorëve, dhe ishin dënuar me nga 18 muaj dënim me burg, i cili nuk do të ekzekutohej në rast se të dënuarit nuk do të kryejnë vepra tjera penale brenda dy viteve pas plotfuqishmërisë së dënimit.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, ankesë në Apel kishin paraqitur Prokuroria Themelore në Mitrovicë, e cila kishte kërkuar nga Apeli, që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime me burgim efektiv.

Ankesë në Apel kishin paraqitur edhe mbrojtësi i Agim Shahinit, avokati Granit Vokshi dhe Syljeman Klinaku, avokat mbrojtës i Skënder Shahinit.

Mbrojtja e të akuzuarve kishin kërkuar nga Apeli që për shkak të mungesës së provave t’i lirojë nga akuza Agim e Skënder Shahinin, apo që çështjen të kthejë në rigjykim.

Kjo, pasi që siç pretendonte mbrojtja, aktgjykimi i shkallës së parë është i përcjellë më shkelje esenciale të dispozitave procedurale, shkelje të ligjit penal e vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.

Mirëpo, këto pretendime të mbrojtjes si të pabazuara i ka hedhur poshtë kolegji i Gjykatës së Apelit.

“Gjykata e Apelit gjeti se pretendimet e mësipërme ankimore të mbrojtësve të akuzuarve Agim Shahini dhe Skënder Shahini nuk qëndrojnë, ngase aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave te procedurës penale të pretenduara me ankesa, e as shkelje të tjera të cilat kjo Gjykatë i konstaton sipas detyrës zyrtare, e të cilat kishin me kushtëzuar anulimin e tij”, thuhet në aktgjykimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë, është i qartë, konkret dhe nuk përmban kundërthënie qoftë me vetveten apo në arsyetimin e tij.

Sipas Apelit, shkalla e parë ka bërë vlerësimin dhe analizimin e të gjitha provave të administruara duke i paraqitur lidhur me to edhe pretendime të veta, të cilat si të drejta i ka aprovuar edhe Apeli.

Po ashtu, Apeli ka refuzuar edhe pretendimet e mbrojtjes se gjendja faktike nuk është vërtetuar drejtë nga shkalla e parë, pasi sipas vlerësimit të Apelit, nga provat e administruara nga ana e  shkallës së parë, dëshmitë e dëshmitarëve, deklarata e përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarës, si dhe pjesërisht nga deklaratat e te akuzuare është vërtetuar se të akuzuarit Agim së bashku kanë mashtruar të dëmtuarën kredi dhënësen “TEB Bank” SH.A, me seli në Vushtrri.

Në fund, Apeli ka refuzuar edhe kërkesën e Prokurorisë për ashpërsim të dënimit ndaj të akuzuarve pasi që sipas Apelit, me dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë, përkatësisht rehabilitimi i kryerësve të veprave penale, parandalimi i kryerësve nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, ngritja e moralit dhe forcimi i detyrimit për respektimin e ligjit.

Ndryshe, Agim Shahini dhe Skënder Shahini akuzoheshin se, së bashku kanë mashtruar të dëmtuarën, kredi dhënësen “TEB Bank” SH.A, me seli në Vushtrri.

Sipas aktakuzës, këtë e kanë bërë duke nënshkruar marrëveshje për mbi tërheqje, marrëveshje mbi letërgarancinë, si dhe marrëveshje mbi pengun me kredi marrësin Bashkim Shahinin, si person përgjegjës i “Besarti Company” SH.P.K.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Agim Shahini dhe Skënder Shahini si bashkë kredi marrës dhe nënshkrues të marrëveshjes së kredi-kartelës “VISA” tek “TEB Bank” SH.A në emër të Agim Shahinit, kanë shfrytëzuar produktet bankare, e që nga muaji janar 2011 e tutje nuk kanë paguar kthimin e kredisë në vlerë të përgjithshme prej 253.000.00 euro, e kjo ka rezultuar ne dëm të kreditorit-të dëmtuarës TEB Bank SH.A.

Të njëjtit, siç thuhet në aktakuzë, me qëllim që t’i sjellin vetes apo tjetrit dobi pasurore kanë vënë në lajthim të dëmtuarën “TEB Bank” SH.A, me seli në Vushtrri, ashtu që për t’iu shmangur borxhit kanë krijuar kompani te re “Sucrakos’, ndërsa për sigurimin e përmbushjes së kredisë kanë ofruar si hipotekë parcelë të rrejshme me nr.0220715, mallin e firmës “Besarti Company” dhe asetet e tjera të kësaj firme të lëna peng tek e dëmtuara i kanë bartur në firmën “Sucrakos”.

Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, të akuzuarit Agim Shahini dhe Skënder Shahini, duke mos e përmbushur detyrimin ndaj të dëmtuarës të njëjtës i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 253.00,00 euro.

Subscribe
Notify of
0 Komente
Inline Feedbacks
View all comments

ads

Ads